Kontrata
KONTRATË PËR SHËRBIME UDHËTIMI DHE TURISTIKE
KUSHTE TË PËRGJITHSHME TË REZERVIMIT DHE UDHËTIMIT
Kjo kontratë përcakton kushtet e përgjithshme që rregullojnë marrëdhënien ndërmjet Albanian Eagle Tours, në vijim “AET” ose “Agjencia”, dhe personit fizik ose juridik që rezervon ose përfiton shërbime udhëtimi nëpërmjet AET, në vijim “Klienti” ose “Udhëtari”.
Kontrata zbatohet së bashku me ofertën, konfirmimin e rezervimit, voucher-in, biletën, faturën dhe kushtet specifike të komunikuara për rezervimin konkret.
NENI 1 – ROLI I ALBANIAN EAGLE TOURS
1.1. Albanian Eagle Tours është agjenci udhëtimi që ofron, rezervon, kombinon dhe ndërmjetëson shërbime turistike dhe udhëtimi për klientët e saj.
1.2. Shërbimet e rezervuara nëpërmjet AET, përfshirë akomodimin, transportin ajror, detar ose tokësor, transfertat, makinat me qira, ekskursionet, guidat, aktivitetet turistike dhe shërbime të tjera, ekzekutohen nga ofrues të tretë të pavarur, si hotele dhe struktura akomoduese, kompani ajrore, kompani tragetesh dhe transporti detar, kompani autobusësh dhe transporti tokësor, kompani transferte, kompani të makinave me qira, operatorë lokalë, guida turistike, ofrues aktivitetesh dhe furnitorë të tjerë të shërbimeve turistike.
1.3. AET mund të rezervojë ose kombinojë disa shërbime udhëtimi sipas kërkesës së klientit. Ekzekutimi operacional i shërbimeve individuale kryhet nga ofruesit përkatës të tretë.
1.4. Përgjegjësia e AET lidhet me rezervimin dhe ndërmjetësimin të shërbimeve të konfirmuara, transmetimin të të dhënave të rezervimit, dhe asistencën ndaj klientit sipas kësaj kontrate.
1.5. AET nuk ushtron kontroll operacional mbi aktivitetin e përditshëm të ofruesve të tretë dhe nuk mund të garantojë veprime ose rrethana jashtë kontrollit të saj.
1.6. Dispozitat e kësaj kontrate janë të aplikueshme sipas legjislacionit të detyrueshëm në fuqi.
NENI 2 – FORMIMI I KONTRATËS DHE DOKUMENTET E REZERVIMIT
2.1. Kontrata konsiderohet e lidhur kur klienti pranon ofertën dhe kryen pagesën, parapagimin ose konfirmimin e kërkuar nga AET.
2.2. Përmbajtja konkrete e rezervimit përcaktohet nga oferta, konfirmimi, voucher-i, bileta, fatura, itinerari dhe kushtet specifike të rezervimit.
2.3. Vetëm karakteristikat e përcaktuara shprehimisht në rezervimin e konfirmuar konsiderohen pjesë e garantuar e shërbimit.
2.4. Kërkesat, preferencat, fotografitë ilustruese, materialet promocionale dhe informacionet e përgjithshme që nuk janë konfirmuar shprehimisht nuk konsiderohen automatikisht garanci kontraktore.
NENI 3 – INFORMACIONI DHE KËSHILLIMI I KLIENTIT
3.1. AET synon t’i paraqesë klientit informacion sa më të plotë dhe realist për shërbimin që po rezervon, duke përdorur burimet e informacionit që ka në dispozicion në momentin e konsultimit.
3.2. Për strukturat akomoduese dhe produktet e tjera turistike, AET mund të përdorë faqet zyrtare të hoteleve dhe operatorëve, informacionin e furnitorëve, Google, Google Reviews, Tripadvisor, Booking.com, platforma të tjera publike, fotografi dhe video zyrtare, materiale fotografike ose video të prodhuara nga AET, vizita dhe eksperienca të mëparshme të stafit të AET, si dhe feedback të klientëve të mëparshëm.
3.3. AET përdor këto burime me kujdes të arsyeshëm profesional për t’i krijuar klientit një panoramë sa më të plotë të produktit.
3.4. Informacionet, fotografitë, videot, vlerësimet dhe komentet e publikuara nga palë të treta janë dinamike dhe mund të ndryshojnë. AET nuk kontrollon përmbajtjen, aktualizimin, vërtetësinë e çdo komenti individual ose ndryshimin e vlerësimeve të publikuara nga platformat e treta.
3.5. AET nuk garanton se perceptimi subjektiv i klientit për një hotel, destinacion apo shërbim do të jetë identik me vlerësimet ose eksperiencat e klientëve të tjerë.
NENI 4 – HOTELET DHE STRUKTURAT AKOMODUESE
4.1. Për rezervimet e akomodimit, përgjegjësia e AET është të sigurojë një rezervim të vlefshëm sipas strukturës akomoduese, datave, kategorisë së dhomës, numrit të personave, regjimit të ushqimit ose shërbimit dhe karakteristikave të tjera të konfirmuara shprehimisht.
4.2. Nëse është rezervuar një kategori specifike, si “Standard Sea View”, “Family Room”, “Suite”, “Half Board” ose “All Inclusive”, këto elemente përbëjnë pjesë të rezervimit dhe AET do të asistojë klientin në rast se hoteli nuk i respekton ato.
4.3. Brenda së njëjtës kategori, dhomat mund të ndryshojnë për nga sipërfaqja, konfigurimi, mobilimi, kati, forma, madhësia e ballkonit, orientimi, distanca nga recepsioni, ashensori, pishina ose deti, pamja, këndi i pamjes, niveli i rinovimit dhe elemente të tjera arkitektonike.
4.4. Këto ndryshime nuk përbëjnë automatikisht mospërputhje të rezervimit për sa kohë klienti është akomoduar në kategorinë e konfirmuar.
4.5. Fotografitë e dhomave janë përgjithësisht përfaqësuese të kategorisë dhe nuk garantojnë dhomën fizike identike të paraqitur në fotografi, përveçse kur kjo është konfirmuar shprehimisht.
NENI 5 – OPERIMI DHE MIRËMBAJTJA E HOTELIT
5.1. Operimi i përditshëm i hotelit është përgjegjësi e strukturës akomoduese. Këtu përfshihen pastrimi i dhomës, housekeeping, mirëmbajtja, kondicioneri, instalimet sanitare, televizori, frigoriferi, Wi-Fi, ashensorët, pishinat, SPA, restorantet dhe baret, cilësia dhe mënyra e servirjes së ushqimit, shërbimi i stafit, entertainment dhe mirëmbajtja e ambienteve të përbashkëta.
5.2. Për probleme të kësaj natyre klienti duhet fillimisht t’i drejtohet recepsionit ose menaxhimit të hotelit dhe t’i japë hotelit mundësi të arsyeshme për korrigjimin e problemit.
5.3. Nëse problemi nuk zgjidhet, klienti duhet të kontaktojë AET gjatë qëndrimit.
5.4. AET do të përdorë mjetet e arsyeshme që ka në dispozicion për të komunikuar me hotelin, furnitorin ose operatorin dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit.
5.5. Kjo asistencë nuk e bën AET përgjegjëse për defektin operacional të shkaktuar nga hoteli.
NENI 6 – CILËSIA, KLASIFIKIMI DHE VLERËSIMET E HOTELIT
6.1. Kategoria me yje e një hoteli pasqyron klasifikimin e përdorur nga destinacioni, autoriteti, hoteli ose sistemi përkatës i rezervimit.
6.2. Standardet e klasifikimit mund të ndryshojnë ndërmjet shteteve dhe destinacioneve.
6.3. AET nuk garanton ekuivalencë absolute midis një hoteli të së njëjtës kategori në vende të ndryshme.
6.4. Perceptimi i klientit për komoditetin, ushqimin, dekorin, atmosferën ose cilësinë e përgjithshme është pjesërisht subjektiv.
6.5. Kjo nuk përjashton rastet kur ekziston një mospërputhje objektive me shërbimin e rezervuar.
NENI 7 – PREFERENCAT DHE KËRKESAT SPECIALE
7.1. Kërkesat për kat të lartë, dhomë të qetë, dhoma pranë njëra-tjetrës, krevat dopio ose twin, pozicion pranë ose larg ashensorit, numër specifik dhome, early check-in, late check-out ose pozicion specifik konsiderohen preferenca dhe jo garanci, përveçse kur janë konfirmuar shprehimisht si pjesë e rezervimit.
7.2. AET do t’ia transmetojë këto kërkesa hotelit kur është e mundur, por vendimmarrja për kërkesat e pakonfirmuara i takon hotelit.
NENI 8 – NDRYSHIMET OPERACIONALE NË HOTEL
8.1. Hotelet mund të ndryshojnë gjatë sezonit oraret, restorantet, menutë, aktivitetet, entertainment, pishinat, SPA, shërbimet sezonale, zona të caktuara ose mund të kryejnë punime dhe renovime.
8.2. Kur AET merr dijeni përpara nisjes për një ndryshim material që prek rezervimin e klientit, do të bëjë përpjekje të arsyeshme për ta informuar klientin.
8.3. AET nuk mban përgjegjësi për ndryshime operative për të cilat nuk është informuar dhe për të cilat në mënyrë të arsyeshme nuk mund të kishte dijeni.
NENI 9 – OVERBOOKING DHE MOSPRANIMI NGA HOTELI
9.1. “Overbooking” konsiderohet situata kur hoteli ose struktura akomoduese ka pranuar rezervime mbi kapacitetin real të disponueshëm dhe, pavarësisht ekzistencës së një rezervimi të vlefshëm, nuk është në gjendje të akomodojë klientin sipas rezervimit të konfirmuar.
9.2. Në rast overbooking-u ose mospranimi nga hoteli, Albanian Eagle Tours do të bëjë çdo përpjekje të arsyeshme, brenda mundësive operative dhe kontraktuale që ka në dispozicion, që klienti të akomodohet në hotelin e rezervuar dhe sipas kategorisë së dhomës dhe shërbimit të konfirmuar.
9.3. Kur akomodimi në hotelin e rezervuar rezulton objektivisht i pamundur, AET do të ndërhyjë pranë hotelit, furnitorit ose operatorit për të siguruar një akomodim alternativ pa kosto shtesë për klientin, për aq sa kjo kërkohet nga kushtet e rezervimit dhe legjislacioni i zbatueshëm.
9.4. Akomodimi alternativ duhet, për aq sa është e mundur, të jetë në një hotel të së njëjtës kategori ose të një kategorie më të lartë dhe të ofrojë një standard, vendndodhje, kategori dhome dhe regjim shërbimi të krahasueshëm me rezervimin fillestar.
9.5. Nëse AET, hoteli ose furnitori i ofron klientit një alternativë që është objektivisht e krahasueshme me shërbimin e rezervuar, pa kosto shtesë për klientin, dhe kjo alternativë realizon në mënyrë të arsyeshme qëllimin e rezervimit fillestar, ofrimi dhe realizimi i këtij akomodimi konsiderohet përmbushje e detyrimit për sigurimin e akomodimit alternativ, pa cenuar të drejtat e tjera që klientit mund t’i garantohen nga legjislacioni i detyrueshëm.
9.6. Nëse klienti refuzon një akomodim alternativ që është objektivisht i krahasueshëm me rezervimin fillestar, pa paraqitur një arsye të justifikuar që lidhet me një ndryshim material në kategori, standard, vendndodhje, tip dhome, regjim ushqimi ose një element tjetër thelbësor të rezervimit, AET nuk mban përgjegjësi për kostot ose pasojat që lindin nga vendimi i klientit për të mos përdorur alternativën e ofruar, për aq sa lejon legjislacioni në fuqi.
9.7. Nëse alternativa e ofruar është e një standardi ose vlere objektivisht më të ulët se shërbimi i rezervuar, klienti ruan të drejtën të kërkojë një reduktim proporcional të çmimit ose rimbursim të diferencës së arsyeshme të vlerës, sipas rrethanave konkrete dhe legjislacionit të zbatueshëm.
9.8. Në rast se akomodimi alternativ është i një kategorie më të lartë ose ka kosto më të lartë, klientit nuk do t’i ngarkohet diferenca vetëm për shkak të nevojës për zëvendësim, kur ndryshimi është bërë si zgjidhje e situatës së overbooking-ut dhe nuk është kërkuar vullnetarisht nga klienti.
9.9. Albanian Eagle Tours, në cilësinë e agjencisë ndërmjetësuese, do të asistojë klientin gjatë gjithë procesit të komunikimit me hotelin, furnitorin ose operatorin dhe do të përdorë mjetet e arsyeshme që ka në dispozicion për sigurimin e alternativës, reduktimin e çmimit, rimbursimin ose kërkesën për kompensim që mund t’i takojë klientit.
9.10. Ndërmjetësimi dhe asistenca e AET për një kërkesë financiare kundrejt hotelit ose furnitorit nuk përbëjnë automatikisht pranim të përgjegjësisë financiare nga AET për një overbooking të shkaktuar nga hoteli ose furnitori, kur AET disponon një rezervim dhe konfirmim të vlefshëm.
9.11. Nëse klienti konsideron se alternativa e propozuar nuk është e krahasueshme me rezervimin fillestar, ai duhet ta njoftojë menjëherë AET dhe të shpjegojë arsyet konkrete të refuzimit, në mënyrë që AET të ketë mundësi të kërkojë një zgjidhje tjetër të arsyeshme.
9.12. Overbooking-u i shkaktuar nga hoteli ose furnitori nuk konsiderohet automatikisht gabim rezervimi i AET kur AET ka kryer rezervimin korrekt dhe disponon konfirmim të vlefshëm për shërbimin e rezervuar.
NENI 10 – FLUTURIMET
10.1. Për rezervimet ajrore, përgjegjësia e AET është që bileta e lëshuar të jetë e vlefshme dhe të korrespondojë me rezervimin e konfirmuar, përfshirë emrin e udhëtarit sipas informacionit të dhënë nga klienti, itinerarin, datën dhe shërbimet shtesë të konfirmuara.
10.2. Operimi i fluturimit është përgjegjësi e kompanisë ajrore.
10.3. AET nuk kontrollon dhe nuk shkakton vonesat, anulimet, ndryshimet e orarit, ndryshimet e avionit, ndryshimet operative të aeroportit, problemet teknike, kushtet meteorologjike, grevat, kufizimet e trafikut ajror, vendimet e autoriteteve ose rrethana të tjera operative të transportuesit.
10.4. Në raste të tilla, përgjegjësia e transportuesit përcaktohet nga legjislacioni dhe kushtet e transportit që zbatohen për fluturimin.
10.5. AET do të ndihmojë klientin, kur është e mundur, për komunikimin me kompaninë ajrore, identifikimin e alternativave, ndryshimin e rezervimeve, paraqitjen e kërkesave për rimbursim ose kompensim dhe orientimin mbi procedurën e claim-it.
10.6. Kjo asistencë nuk përbën garanci se kompania ajrore do të pranojë kërkesën ose do të paguajë kompensim.
NENI 11 – CHECK-IN, BOARDING PASS DHE BAGAZHET
11.1. Klienti është përgjegjës për respektimin e afateve të check-in dhe paraqitjes në aeroport.
11.2. Kur kompania ajrore kërkon online check-in ose boarding pass paraprak, klienti duhet të respektojë procedurën e komunikuar.
11.3. Tarifat e shkaktuara nga mosrespektimi i procedurave të kompanisë ajrore janë përgjegjësi e klientit kur informacioni përkatës i është komunikuar.
11.4. Bagazhi i përfshirë përcaktohet nga rezervimi konkret.
11.5. Kufijtë e peshës, dimensionet, numri i bagazheve dhe objektet e ndaluara përcaktohen nga transportuesi.
11.6. Humbja, dëmtimi ose vonesa e bagazhit gjatë transportit trajtohet me transportuesin përkatës. AET mund të ndihmojë klientin me procedurën.
NENI 12 – TRANSFERTAT
12.1. Për transfertat, përgjegjësia e AET është rezervimi i një shërbimi të vlefshëm sipas datës, destinacionit, numrit të personave, kategorisë së mjetit dhe tipit të transferimit të konfirmuar.
12.2. Transferimi mund të jetë privat ose i përbashkët, sipas rezervimit.
12.3. Në transfertat e përbashkëta mund të ketë pritje, ndalesa për pasagjerë të tjerë dhe itinerar jo të drejtpërdrejtë.
12.4. Klienti duhet të paraqitet në pikën e përcaktuar të takimit në kohën e komunikuar.
12.5. Për transfertat nga aeroporti, porti ose pika të tjera mbërritjeje, operatorët kanë një periudhë pritjeje të kufizuar. Kur klientit i është komunikuar një afat pritjeje prej 40–60 minutash, ose një afat tjetër specifik, klienti duhet ta respektojë atë.
12.6. Nëse klienti nuk paraqitet brenda periudhës së komunikuar dhe nuk kontakton operatorin ose AET, mjeti mund të largohet dhe shërbimi mund të konsiderohet no-show dhe i kryer për qëllime tarifimi.
12.7. Klienti duhet të informojë menjëherë AET ose operatorin në rast vonese, problemi me bagazhin ose situate tjetër që e pengon të paraqitet.
12.8. Kur vonesa e fluturimit është e monitorueshme nga operatori, AET do të ndihmojë për koordinimin, por disponueshmëria e mjetit mbetet subjekt i operatorit të transferimit.
NENI 13 – MAKINAT ME QIRA
13.1. Për rezervimet e makinave me qira, përgjegjësia e AET është lëshimi i një voucher-i ose rezervimi të vlefshëm për kategorinë e automjetit dhe kushtet e konfirmuara.
13.2. Përveç rasteve kur është konfirmuar shprehimisht ndryshe, rezervimi garanton kategorinë ose një kategori ekuivalente, jo domosdoshmërisht markën, modelin, ngjyrën ose automjetin konkret të paraqitur në fotografi.
13.3. Klienti është përgjegjës për të plotësuar kërkesat e kompanisë së qirasë, duke përfshirë sipas rastit patentën e vlefshme, patentën ndërkombëtare, moshën minimale, periudhën minimale të mbajtjes së patentës, kartën e kreditit në emër të drejtuesit kryesor, limitin e mjaftueshëm për depozitën, dokumentin e identifikimit dhe dokumente të tjera të kërkuara.
13.4. AET i komunikon klientit kushtet e njohura të rezervimit, por përgjegjësia për t’u paraqitur me dokumentet dhe mjetet e nevojshme të pagesës mbetet e klientit.
13.5. Refuzimi i dorëzimit të makinës për shkak të mungesës së patentës së kërkuar, kartës së kreditit, depozitës, moshës ose dokumentacionit të klientit nuk konsiderohet dështim i rezervimit nga AET.
13.6. Depozita, karburanti, gjobat, dëmtimet, tolls, parking, sigurimet shtesë dhe përdorimi i automjetit rregullohen nga kontrata ndërmjet klientit dhe kompanisë së qirasë.
NENI 14 – TRANSPORTI DETAR, AUTOBUSËT DHE TRANSPORTI TOKËSOR
14.1. Për tragetet, autobusët, trenat dhe transportues të tjerë, AET përgjigjet për rezervimin korrekt sipas konfirmimit.
14.2. Operimi, vonesat, anulimet dhe ndryshimet operative janë përgjegjësi e transportuesit përkatës sipas legjislacionit dhe kushteve të tij.
14.3. Klienti është përgjegjës për paraqitjen në terminal, port ose stacion brenda afatit të kërkuar.
NENI 15 – EKSKURSIONET, GUIDAT DHE AKTIVITETET
15.1. Ekskursionet, guidat dhe aktivitetet mund të realizohen nga operatorë lokalë të pavarur.
15.2. AET përgjigjet për transmetimin korrekt të rezervimit sipas shërbimit të konfirmuar.
15.3. Operatori lokal përgjigjet për ekzekutimin operacional, pajisjet, personelin dhe masat që ligji ia ngarkon atij.
15.4. Aktivitetet mund të ndryshohen ose anulohen për shkak të motit, sigurisë, kushteve lokale ose vendimeve të operatorit.
15.5. Klienti duhet të respektojë udhëzimet e sigurisë dhe kufizimet e operatorit.
NENI 16 – DOKUMENTET E UDHËTIMIT
16.1. Klienti është përgjegjës për të pasur dokumente të vlefshme udhëtimi.
16.2. Kjo përfshin, sipas rastit, pasaportën, kartën e identitetit, vlefshmërinë minimale të dokumentit, faqet bosh, vizat, vizat e transitit, autorizimet për të miturit dhe dokumentacionin e kërkuar nga destinacioni.
16.3. Emri dhe mbiemri i dhënë AET duhet të përputhen me dokumentin e udhëtimit.
16.4. Klienti është përgjegjës për saktësinë e të dhënave që i transmeton AET.
16.5. Kostot e korrigjimeve që lindin nga informacioni i gabuar i dhënë nga klienti mbulohen nga klienti.
16.6. Kur gabimi në rezervim është shkaktuar nga AET pavarësisht informacionit të saktë të dhënë nga klienti, AET merr përgjegjësinë që i takon për korrigjimin e gabimit.
NENI 17 – VIZAT DHE KUSHTET E HYRJES
17.1. AET mund të ofrojë informacion dhe konsultim orientues mbi kërkesat e njohura për viza dhe dokumentacion udhëtimi.
17.2. Ky informacion bazohet në burimet e disponueshme në momentin e konsultimit dhe nuk përbën vendim të autoritetit kompetent.
17.3. Rregullat e vizave, transitit dhe hyrjes mund të ndryshojnë.
17.4. Autoriteti përfundimtar për kushtet e hyrjes është ambasada, konsullata, autoriteti i emigracionit, autoriteti kufitar ose institucioni tjetër kompetent.
17.5. Klienti duhet të verifikojë kërkesat që zbatohen për shtetësinë e tij, dokumentin konkret të udhëtimit, destinacionin, vendet e transitit dhe datat e udhëtimit.
17.6. Vendimi për lejimin ose refuzimin e hyrjes në një shtet merret nga autoritetet kompetente dhe nuk kontrollohet nga AET.
NENI 18 – SIGURIMI I UDHËTIMIT
18.1. Albanian Eagle Tours është agjenci udhëtimi dhe nuk është kompani sigurimi.
18.2. AET mund t’i rekomandojë klientit të blejë sigurim të përshtatshëm udhëtimi nga një subjekt i autorizuar.
18.3. Në varësi të udhëtimit, sigurimi mund të mbulojë emergjencat gjatë udhëtimit, anulimin e udhëtimit, bagazhet, aksidentet, riatdhesimin ose rreziqe të tjera sipas policës.
18.4. AET nuk mban përgjegjësi për dëmet ose kostot që një sigurim i përshtatshëm mund të kishte mbuluar, kur klienti ka zgjedhur të udhëtojë pa këtë mbulim, për aq sa lejon ligji.
18.5. Mbulimi, përjashtimet dhe pagesa e dëmit përcaktohen nga kontrata ndërmjet klientit dhe kompanisë së sigurimit.
NENI 19 – FËMIJËT DHE TË MITURIT
19.1. Klienti duhet të deklarojë saktë moshën dhe datëlindjen e fëmijëve.
19.2. Mosha llogaritet sipas rregullave të furnitorit dhe mund të lidhet me moshën në datën e udhëtimit.
19.3. Diferencat e çmimit të shkaktuara nga deklarimi i pasaktë i moshës mbulohen nga klienti.
19.4. Prindërit ose kujdestarët janë përgjegjës për dokumentacionin dhe autorizimet e nevojshme për të miturit.
NENI 20 – KËRKESAT E VEÇANTA DHE AKSESUESHMËRIA
20.1. Klienti duhet të informojë AET për kërkesa të veçanta që ndikojnë në realizimin e udhëtimit, si dhomë e aksesueshme, asistencë me karrige me rrota, kërkesa dietike, asistencë aeroportuale ose shërbime të tjera specifike.
20.2. AET do t’ia transmetojë kërkesën furnitorit dhe do të konfirmojë vetëm shërbimet që furnitori ka pranuar.
NENI 21 – ÇMIMET DHE PAGESAT
21.1. Çmimi i rezervimit përcaktohet në ofertën ose konfirmimin individual.
21.2. Rezervimi mund të kërkojë parapagim ose pagesë të plotë.
21.3. Disa tarifa mund të jenë të pakthyeshme që nga momenti i rezervimit.
21.4. Klienti informohet për kushtet kryesore të pagesës dhe anulimit që aplikohen për rezervimin konkret.
21.5. Nëse klienti nuk kryen pagesën brenda afatit të përcaktuar, AET mund të mos jetë në gjendje të ruajë rezervimin ose çmimin fillestar.
NENI 22 – ANULIMI DHE NDRYSHIMI NGA KLIENTI
22.1. Çdo kërkesë për anulim ose ndryshim duhet t’i komunikohet AET.
22.2. Tarifat e anulimit ose ndryshimit varen nga hoteli, kompania ajrore, operatori, furnitori, afati dhe kushtet e rezervimit konkret.
22.3. Produktet e shënuara “non-refundable” ose ekuivalente mund të mos kenë të drejtë rimbursimi.
22.4. AET do ta informojë klientin për kostot e njohura përpara realizimit të ndryshimit, kur kjo është praktikisht e mundur.
NENI 23 – NO-SHOW DHE MOSPËRDORIMI I SHËRBIMIT
23.1. Nëse klienti nuk paraqitet për një hotel, fluturim, transfer, aktivitet ose shërbim tjetër, pa e anuluar sipas kushteve të rezervimit, mund të konsiderohet no-show.
23.2. Në këtë rast, shërbimi mund të jetë plotësisht i pakthyeshëm sipas kushteve të furnitorit.
23.3. Mosshfrytëzimi vullnetar i një pjese të shërbimit nuk krijon automatikisht të drejtë rimbursimi.
NENI 24 – CHECK-IN DHE CHECK-OUT NË HOTEL
24.1. Orari i check-in dhe check-out përcaktohet nga hoteli.
24.2. Rezervimi i një nate nuk nënkupton përdorimin e dhomës për 24 orë nga momenti i mbërritjes.
24.3. Early check-in dhe late check-out janë subjekt disponueshmërie dhe mund të kenë tarifë shtesë.
NENI 25 – TAKSAT LOKALE DHE SHPENZIMET NË DESTINACION
25.1. Disa destinacione aplikojnë taksa turistike, city tax, resort fee, depozita ose tarifa të tjera që paguhen lokalisht.
25.2. Kur AET ka informacion për këto tarifa, do të përpiqet t’ia komunikojë klientit.
25.3. Tarifat e vendosura ose ndryshuara nga autoritetet ose strukturat pas rezervimit mund të jenë të pagueshme drejtpërdrejt nga klienti.
NENI 26 – RRETHANA TË JASHTËZAKONSHME DHE FORCA MADHORE
26.1. AET nuk mban përgjegjësi për pamundësinë e realizimit të shërbimit kur kjo shkaktohet nga rrethana jashtë kontrollit të arsyeshëm të saj, për aq sa lejon legjislacioni në fuqi.
26.2. Këto mund të përfshijnë fatkeqësi natyrore, kushte ekstreme meteorologjike, luftë, trazira, epidemi ose pandemi, mbyllje kufijsh, vendime shtetërore, greva, ndërprerje të transportit, probleme të kontrollit të trafikut ajror ose ngjarje të tjera të jashtëzakonshme.
26.3. Në këto raste AET do të ndihmojë klientin, brenda mundësive të arsyeshme, për të komunikuar me furnitorët dhe për të identifikuar alternativa.
NENI 27 – DETYRIMI I KLIENTIT PËR TË RAPORTUAR PROBLEMIN
27.1. Klienti duhet të raportojë një problem sa më shpejt që ai konstatohet.
27.2. Për probleme hoteli, klienti duhet fillimisht të kontaktojë recepsionin ose menaxhimin dhe, nëse problemi nuk zgjidhet, AET.
27.3. Për probleme transporti, transferte ose shërbimesh të tjera, klienti duhet të kontaktojë operatorin dhe/ose AET sipas rrethanave.
27.4. Qëllimi i raportimit në kohë është t’i japë ofruesit dhe AET mundësi reale për të korrigjuar problemin.
27.5. Mosraportimi gjatë kohës kur problemi mund të korrigjohej mund të merret në konsideratë gjatë vlerësimit të një ankese të mëvonshme, në përputhje me ligjin.
NENI 28 – ASISTENCA E AET GJATË UDHËTIMIT
28.1. Edhe kur problemi është shkaktuar nga një ofrues i tretë, AET do të bëjë përpjekje të arsyeshme për të ndihmuar klientin.
28.2. Asistenca mund të përfshijë komunikimin me hotelin, furnitorin, kompaninë ajrore ose operatorin lokal, kërkimin e alternativave dhe ndihmën me dokumentacionin e një claim-i.
28.3. AET nuk garanton rezultatin e një kërkese kur vendimmarrja i takon një pale të tretë.
NENI 29 – KUFIZIMI I PËRGJEGJËSISË
29.1. AET përgjigjet për veprimet, gabimet dhe detyrimet që i atribuohen drejtpërdrejt AET sipas rezervimit dhe legjislacionit në fuqi.
29.2. AET nuk mban përgjegjësi për veprime ose mosveprime që janë ekskluzivisht nën kontrollin operacional të ofruesve të pavarur, përveç rasteve kur ligji i zbatueshëm përcakton ndryshe.
29.3. AET nuk përgjigjet për dëme që shkaktohen nga informacioni i pasaktë i dhënë nga klienti, mosrespektimi i udhëzimeve të komunikuara, mungesa e dokumenteve, mosparaqitja në kohë, veprime personale të klientit ose ngjarje jashtë kontrollit të AET, për aq sa lejon ligji.
29.4. Asnjë kufizim i kësaj kontrate nuk zbatohet kur një kufizim i tillë ndalohet nga legjislacioni i detyrueshëm.
NENI 30 – ANKESAT DHE KËRKESAT PËR KOMPENSIM
30.1. Klienti duhet të paraqesë ankesën pranë AET duke përshkruar qartë problemin.
30.2. Ankesa duhet, kur është e mundur, të shoqërohet me fotografi, video, dokumente, komunikime me hotelin ose operatorin, fatura ose prova të tjera relevante.
30.3. AET do të shqyrtojë pjesën që lidhet me përgjegjësinë e saj dhe, kur problemi i përket një furnitori, do të ndihmojë në përcjelljen dhe ndjekjen e kërkesës pranë tij.
30.4. Paraqitja e kërkesës nga AET te furnitori nuk përbën pranim automatik të përgjegjësisë nga AET.
NENI 31 – KOMUNIKIMI ME KLIENTIN
31.1. Klienti duhet t’i japë AET numër telefoni, WhatsApp dhe/ose email funksional.
31.2. Klienti duhet të monitorojë komunikimet lidhur me rezervimin, veçanërisht për ndryshime operative, fluturime, transferta dhe dokumentacion.
31.3. AET nuk mban përgjegjësi për pasojat e mosmarrjes së një komunikimi kur ai është dërguar në të dhënat e kontaktit të deklaruara nga klienti dhe mosmarrja nuk është shkaktuar nga AET.
NENI 32 – MBROJTJA E TË DHËNAVE
32.1. AET përpunon të dhënat e klientit për qëllime që lidhen me rezervimin, administrimin e shërbimit, përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe komunikimin me klientin.
32.2. Për realizimin e rezervimit mund të jetë e nevojshme transmetimi i të dhënave tek hotelet, kompanitë ajrore, operatorët, sistemet e rezervimit dhe furnitorët përkatës.
32.3. AET merr masa të arsyeshme për mbrojtjen e të dhënave sipas legjislacionit të zbatueshëm.
NENI 33 – HIERARKIA E DOKUMENTEVE
33.1. Në rast mospërputhjeje ndërmjet dokumenteve, interpretimi bëhet duke marrë në konsideratë legjislacionin e detyrueshëm, konfirmimin ose ofertën specifike të rezervimit, voucher-in ose biletën, kushtet specifike të furnitorit të komunikuara për rezervimin dhe këtë kontratë.
33.2. Kushtet specifike të një rezervimi kanë përparësi ndaj kushteve të përgjithshme për çështjet që rregullojnë në mënyrë specifike, për aq sa nuk bien ndesh me legjislacionin e detyrueshëm.
NENI 34 – NDRYSHIMET E KËSAJ KONTRATE
34.1. AET mund të përditësojë kushtet e përgjithshme për rezervimet e ardhshme për shkak të ndryshimeve ligjore, teknologjike ose operative.
34.2. Për një rezervim ekzistues zbatohen kushtet e pranuara në momentin e lidhjes së kontratës, përveç ndryshimeve që kërkohen detyrimisht nga ligji.
NENI 35 – LIGJI I ZBATUESHËM DHE MOSMARRËVESHJET
35.1. Kjo kontratë rregullohet nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë.
35.2. Palët do të përpiqen fillimisht të zgjidhin çdo mosmarrëveshje nëpërmjet komunikimit dhe zgjidhjes me mirëkuptim.
35.3. Në mungesë të një zgjidhjeje, klienti ruan të drejtat që i garantohen nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e konsumatorit dhe legjislacioni tjetër i zbatueshëm.
35.4. Mosmarrëveshjet që nuk zgjidhen me mirëkuptim trajtohen nga organet dhe gjykatat kompetente sipas legjislacionit shqiptar.
NENI 36 – PRANIMI I KUSHTEVE DHE DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
36.1. Kushtet e Përgjithshme të Rezervimit të Albanian Eagle Tours publikohen dhe mbahen të aksesueshme në faqen zyrtare të AET. Klienti ka të drejtë të njihet me to përpara konfirmimit të rezervimit dhe/ose kryerjes së pagesës.
36.2. Klientit i vihet në dispozicion referenca ndaj Kushteve të Përgjithshme nëpërmjet Mandatit të Arkëtimit/Rezervimit dhe, sipas rastit, ofertës, voucher-it, konfirmimit të rezervimit, email-it, komunikimit elektronik ose dokumentacionit tjetër të përdorur për rezervimin.
36.3. Me nënshkrimin e Mandatit të Arkëtimit/Rezervimit, klienti konfirmon se i janë vënë në dispozicion Kushtet e Përgjithshme të Rezervimit të AET, se ka pasur mundësinë të njihet me to dhe se i pranon ato së bashku me kushtet specifike të rezervimit përkatës.
36.4. Referencat në Mandatet e Arkëtimit/Rezervimit ose në dokumentacion tjetër të AET ndaj adresave elektronike të mëparshme të Kushteve të Përgjithshme konsiderohen referenca ndaj faqes aktuale zyrtare të kontratës, kur adresa e mëparshme ridrejton klientin drejt faqes ku këto kushte janë të publikuara dhe të aksesueshme.
36.5. Klienti pranon se shërbimet turistike të rezervuara nëpërmjet AET mund të ekzekutohen nga ofrues të tretë të pavarur dhe se përgjegjësitë e AET, ofruesit të shërbimit dhe klientit përcaktohen sipas natyrës së shërbimit, rezervimit konkret, kësaj kontrate dhe legjislacionit në fuqi.
36.6. Klienti deklaron se informacioni personal, të dhënat e udhëtarëve dhe dokumentacioni që i ka dhënë AET janë të sakta dhe merr përgjegjësinë për pasaktësitë që burojnë nga informacioni i dhënë prej tij, sipas përcaktimeve të kësaj kontrate.
36.7. Kushtet e anulimit, ndryshimit dhe rimbursimit përcaktohen nga kushtet specifike të rezervimit, kushtet e ofruesve përkatës të shërbimeve, kjo kontratë dhe legjislacioni i detyrueshëm në fuqi. Asnjë formulim i përgjithshëm në Mandatin e Arkëtimit/Rezervimit nuk interpretohet si heqje dorë nga një e drejtë që klientit i garantohet detyrimisht nga ligji.
36.8. Për rezervimet e kryera në distancë ose nëpërmjet komunikimit elektronik, kur nuk përdoret Mandati fizik, pranimi i kushteve mund të dokumentohet nëpërmjet konfirmimit të rezervimit, pagesës, email-it, WhatsApp-it ose një forme tjetër të vlefshme komunikimi ose pranimi, pasi kushtet t'i jenë vënë në dispozicion klientit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
36.9. Për çdo rezervim zbatohen Kushtet e Përgjithshme të AET dhe kushtet specifike të rezervimit që i janë vënë në dispozicion klientit në momentin e lidhjes së marrëdhënies kontraktore. Ndryshimet e mëvonshme të Kushteve të Përgjithshme nuk ndryshojnë kushtet e një rezervimi ekzistues, përveç rasteve kur ndryshimi kërkohet nga legjislacioni i detyrueshëm ose pranohet nga palët.
36.10. Klienti ka të drejtë të ruajë, shkarkojë ose printojë kontratën e publikuar në faqen zyrtare. Me kërkesë të klientit, AET mund t'i vendosë në dispozicion edhe një kopje elektronike ose të printuar.
36.11. Në rast mospërputhjeje ndërmjet kësaj kontrate dhe një dispozite detyruese të legjislacionit në fuqi, zbatohet dispozita ligjore përkatëse, pa cenuar vlefshmërinë e pjesëve të tjera të kontratës.
36.12. Kjo kontratë, së bashku me kushtet specifike të rezervimit dhe dokumentacionin përkatës të tij, përbën bazën kontraktore të marrëdhënies ndërmjet klientit dhe Albanian Eagle Tours.
ALBANIAN EAGLE TOURS
Agjenci Udhëtimi
Kontrata: Kushtet e Përgjithshme të Rezervimit dhe Udhëtimit
Publikuar në: albanianeagletours.com/pages/kontrata
Klienti mund të ruajë ose printojë një kopje të këtyre kushteve për referencë.
Për rezervimet e kryera në zyrat e Albanian Eagle Tours, pranimi i kushteve dokumentohet edhe nëpërmjet Mandatit të Arkëtimit/Rezervimit të nënshkruar nga klienti.
Për rezervimet e kryera në distancë, pranimi dokumentohet sipas mënyrës së konfirmimit dhe pagesës së rezervimit, në përputhje me Nenin 36 dhe legjislacionin në fuqi.